Lajm1

edhe nje lajm tjetër më shum …

‘Të edukojmë vajzat, ato edukojnë familjen dhe kombin’ – fjalimi i Abdyl Frashërit

Gjatë kohës që Abdyl beu mbante diskutimin, disa deputetë që nuk e kuptonin siç duhej këtë problem, në shenjë refuzimi kishin braktisur sallën, ndërsa shumica e të pranishme e duartrokiti fort në shenjë miratimi

Nga Hasan Bello

Në fjalën e hapjes së Parlamentit të parë osman sulltan Abdylhamidi II (1876-1909) premtoi se në kuadër të reformave që do të realizonte do të hapte edhe një shkollë për përgatitjen e nënpunësve e kuadrove të lartë të shtetit osman dhe se brenda një viti do të sillte në Parlament një rregullore të re mbi arsimin.

Në diskutimet që u zhvilluan në Parlament lidhur me legjislacionin e vilajeteve dhe bashkive u vu re se zbatimi i këtyre ligjeve ishte i kushtëzuar nga nëpunësit e shkolluar dhe nga populli që dinte shkrim e këndim. Këto diskutime nxorën në pah gjendjen e mjeruar që ekzistonte në mbarë Perandorinë Osmane. Deputeti i Ajdënit, Ahmet Efendiu, ngriti shqetësimin se në zonën e tij, me përjashtim të imamëve, nuk kishte njerëz që dinin të lexonin.

Një diskutim po aq të zjarrtë lidhur me këtë problem, më 14 janar 1878, mbajti me cilësinë e deputetit të Janinës edhe Abdyl bej Frashëri.