September 19, 2021

Lajm1

edhe nje lajm tjetër më shum …

Osman ATALAY Romët, komuniteti i lashtë i Perëndimit dhe i Ballkanit

Osman ATALAY
Romët, komuniteti i lashtë i Perëndimit dhe i Ballkanit
Të gjithë i njohim si “ciganë” ose, siç e quajnë veten, “romë”. Romët janë një
popull me origjinë indo-evropiane që vijnë nga rajoni i Punxhabit dhe përgjatë
lumit Sind, ku përfshihen edhe pjesë të Pakistanit e Afganistanit. Përmes Iranit
dhe Anadollit romët janë përhapur në të gjithë botën duke u ndarë në dy degë.
Dega e parë është vendosur në Egjipt duke kaluar përmes Iranit dhe Sirisë dhe më
vonë, nga kjo degë ka pasur një sërë migrimesh drejt Spanjës dhe Portugalisë
përmes detit.

Kurse dega e dytë ka ndjekur rrugën përgjatë veriut të Detit Kaspik dhe Detit të
Zi, duke zbritur në Ballkan dhe duke u përhapur prej andej në Evropë.
Përveç këtij migrimi, ka edhe romë që kanë ardhur me turqit në Anadoll dhe prej
aty janë vendosur në Traki dhe Ballkan.
Një pjesë e tyre janë vendosur në Anadoll bashkë me turqit oguzë në periudhën
selçuke, duke përbërë bërthamën e parë të romëve myslimanë.
Myslimanë kishte edhe ndër romët e tjerë që jetonin në Anadoll në këtë periudhë.
“Shumë romë erdhën në Ballkan gjatë periudhës së zgjerimit osman, ose me njësitë
e akinxhinjve si zanatçinj në shërbim të ushtrisë, ose me popullsinë që u vendos
në rajon pas dyndjeve në fjalë.”
Një pjesë e këtyre romëve arritën deri në brendësi të Evropës bashkë me osmanët,
por pjesa më e madhe qëndruan në Traki dhe Ballkan, ose duke kaluar në jetesë
sedentare, ose si nomadë.
Në këtë mënyrë romët, bashkë me bashkësitë turke, kontribuan në rritjen e
popullsisë myslimane në vendet e pushtuara.
“Falë Perandorisë Osmane, e cila për pesëqind vjet me radhë la gjurmë të
pashlyeshme në zhvillimin kulturor dhe historik të rajonit dhe e cila i vendosi
romët në Rumeli, Trakia dhe Ballkani sot konsiderohen si atdheu i dytë i romëve
pas Indisë.”
Megjithëse mes shifrave zyrtare dhe atyre të Këshillit Evropian dhe organizatave
rome të shoqërisë civile ka dallime të konsiderueshme, mendohet se sot në vendet
e Ballkanit Perëndimor jetojnë një milionë romë, në Turqi 2.8 milionë dhe në
Bashkimin Evropian 6.2 milionë. Romët përbëjnë pakicën më të madhe etnike të
Evropës.

Megjithëse romët përballen vazhdimisht me përjashtim, izolim dhe diskriminim, në
kuadër të “Kornizës së BE-së për Strategjitë Kombëtare për Integrimin e Romëve
Deri në Vitin 2020”, të miratuar nga Komisioni Evropian më 2011, BE ka
përcaktuar politikat për integrimin dhe fuqizimin e romëve. Në këtë kuadër, 28
vende anëtare, 7 vende kandidate dhe të gjitha vendet që aspirojnë kandidaturën
e BE-së, i kanë miratuar dhe vënë në zbatim Strategjitë Kombëtare për Integrimin
e Romëve.
Përveç atyre të vendosur në Traki, romët e Ballkanit në përgjithësi merren vesh
mes tyre në tri gjuhë (sllavisht, turqisht dhe rumanisht).
Romët e Ballkanit që jetojnë në Bullgari, Rumani, Greqi, Maqedoni, Kosovë,
Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni, në
përgjithësi jetojnë në vendbanime urbane.
Po të përfshijmë të gjithë Evropën, mund të thuhet se romët përbëjnë një
popullsi prej rreth 11 deri në 16 milionë banorë.
Romët turq dhe myslimanë kanë një histori dhe kulturë të përbashkët prej mëse
gjashtë shekujsh me Turqinë, që nga Perandoria Osmane. Gjithashtu edhe historia
e tyre në Ballkan dhe Evropë është e identifikueshme me historinë osmane në
Ballkan dhe Evropë.

Kryengritjet dhe luftrat e përjetuara në shekujt e 19-të dhe 20-të në Ballkan,
kanë pasur pasoja të rënda për romët myslimanë. Masakrimi i gjashtëqind mijë
romëve në kampet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shkaktuar një traumë
të pashlyeshme në kujtesën kulturore të romëve.
Gjatë luftrave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, mijra romë mërguan në
vende të BE-së, kryesisht në Gjermani, Francë dhe Austri, në kërkim të një
mjedisi më të sigurt për të jetuar.
Me anëtarësimin në BE të disa prej vendeve të Evropës Lindore dhe të Ballkanit,
shtetasit romë të këtyre shteteve janë bërë shtetas të BE-së dhe kanë fituar të
mundësinë për të përfituar nga ligjet e BE-së.
Në shumë vende të Ballkanit, zgjidhja e problemeve sociale të shtetasve romë
ndjek një ritëm të ngadaltë e të çalë. Shtetasit me origjinë rome vazhdojnë të
përballen me diskriminim në jetën sociale për shkak të veshjeve dhe të kulturës
së tyre që vazhdojnë ta mbajnë gjallë.
Në krye të problemeve serioze më të cilat përballen romët, janë ato të fushave
të arsimit, shëndetësisë dhe punësimit.
Romët myslimanë, ne vendet ku jetojnë në bashkësi, e jetojnë në mënyrë më komode
fenë dhe kulturën e tyre.

Romët i kanë përcjellë traditat për shekuj me radhë përmes familjes. Këto
tradita përfshijnë stilet lokale muzikore, sistemin e drejtësisë dhe traditat
martesore, të përcjella kryesisht gojarisht.
Pavarësisht periudhave të persekutimit dhe dëbimit si dhe poshtërimeve me të
cilat janë përballur në shekuj, romët kanë vazhduar të jetojnë si bashkësi
familjare me lidhje të ngushta mes tyre.
Familja ka qenë në krye të faktorëve në mbijetesën e kulturës rome, qoftë ndër
romët italianë, rumunë, rusë, skandinavë apo amerikanë.
Shumica dërrmuese e romëve myslimanë të Ballkanit flasin turqisht dhe në këtë
gjuhë merren vesh mes tyre. Megjithëse arsimohen në gjuhën përkatëse të vendit,
edhe adhurimet i kryejnë në turqisht.
Mbështetjet sociale, kulturore, arsimore dhe shëndetësore që Turqia u ofron
komuniteteve të afërta fetare dhe etnike në Ballkan, duhet të përfshijnë edhe
komunitetin rom që gëzon një të kaluar të pasur historike dhe një popullsi e
potencial të konsiderueshëm.
Mendoj se në politikat e ndihmave humanitare të institucioneve tona zyrtare dhe
të organizatave të shoqërisë civile, sidomos gjatë ramazanit dhe Kurban
Bajramit, është e dosmosdoshme të kujtohen edhe myslimanët romë përndryshe të
harruar.

Evropa dhe romët

Romët, të cilët prej shumë kohësh luftojnë për mbijetesë në Ballkan dhe Evropë,
për çfarëdo arsyeje nuk na kanë interesuar shumë.
Romët janë nga komunitetet që janë përballur më shumë me racizëm në botë. Por
sot romët i gjejmë thuajse në çdo vend të Evropës dhe të Ballkanit.
Romët janë një nga grupet etnike më të përjashtuara e të diskriminuara
shoqërisht.
Ekipi për Romët dhe Endacakët në Këshillin e Evropës vlerëson se numri i romëve
sot në Evropë është maksimalisht 16 milionë e 118 mijë dhe mesatarisht 11
milionë e 256 mijë. Këto shifra debatohen prej vitesh por të dhëna përfundimtare
nuk ka.
Romët konsiderohen se lidhjet me fetë në jetesën praktike sociale i kanë shumë
të dobëta. Për sa i përket përkatësisë, pjesa më e madhe e romëve që jetojnë sot
në Ballkan dhe Evropë, vetëidentifikohen si myslimanë.
Evropa për shumë vjet me radhë nuk i ka arritur dot rezultatet e dëshiruara në
politikat e integrimit për romët. Sigurisht që në këtë problem asimilimi luajnë
rol qëndrimet negative, paragjykuese dhe përjashtuese ndaj romëve.
Romët vijnë në krye të bashkësive të huaja që përbëjnë shqetësim për Evropën.
Traditat e tyre, mënyra e jetesës dhe rritja e pakontrollueshme demografike,
shihen si një problem madhor.
Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) në vitin 2011 mori
një sërë vendimesh këshilluese lidhur kundër anticiganizmit dhe diskriminimit
ndaj romëve.
Në këtë kuadër, është këshilluar marrja e masave efektive kundër diskriminimit
dhe intolerancës ndaj romëve/ciganëve, kundër diskriminimit në arsimin shkollor
dhe kundër racizmit e diskriminimit social përmes arsimit, kundër racizmit dhe
diskriminimit racor në shërbimet policore, si dhe kundër paragjykimeve,
diskriminimit, dhunës dhe përjashtimit social ndaj romëve.
Sidomos në Evropë, kishat u kushtojnë rëndësi të veçantë veprimtarive misionare
për romët.
Nxjerrja në pah e identitetit mysliman të romëve që jetojnë në Ballkan dhe
Evropë, është një çështje me rëndësi të madhe.
Dua t’u tërheq vëmendjen veçanërisht organizatave bamirëse turke dhe myslimane.
Organizatat e shoqërisë civile që zhvillojnë veprimtari në Ballkan dhe Evropë,
duhet t’u hapin një dritare ndihmave sociale, kulturore, arsimore dhe
shëndetësore për romët.
Institucionet zyrtare dhe organizatat e shoqërisë civile të Turqisë duhet të
zhvillojnë patjetër strategji dhe politika për romët, të cilët kanë një
potencial shumë të madh në të ardhmen e Ballkanit.
Është e qartë vlera e veprimtarive që zhvillohen rreth feve dhe etnike në
rivalitetet globale dhe rajonale. Bazat e metodave gjeopolitike dhe
gjeostrategjike të të gjitha luftrave krijohen rreth feve dhe etnive.
Institucionet zyrtare të Turqisë nuk duhet ta lënë kurrsesi në harresë
komunitetin rom/cigan në Ballkan dhe Evropë.
Në realizimin e projekteve që do të ndikojnë në jetën e këtij komuniteti në afat
të mesëm dhe të gjatë, duhet marrë mbështetja e romëve aktivë në fushat politike
dhe akademike.
Ngaqë në Turqi nuk bëhet numërim popullsie mbi baza etnike, nuk ka ndonjë të
dhënë të sigurt për popullsinë rome. Të dhënat për popullsinë rome në Turqi,
bazuar në vlerësimet e ekspertëve që punojnë në terren dhe të punonjësve të
organizatave të shoqërisë civile rome, japin një shifër prej rreth 2.75 milionë.
Historikisht në Turqi, grupet e etiketuara si “ciganë” nga të tjerët brenda tyre
shfaqin larmi gjuhësore, kulturore dhe besimore.
Romët, domët, lomët dhe abdallët përbëjnë popullsinë “cigane” të Turqisë.
Elementet e përbashkëta të këtyre grupeve që dallojnë në aspekte të ndryshme,
janë profesionet dominuese, mënyra e jetesës dhe hapësirat jetësore.
Në Turqi jetojnë rreth 2 milionë e 750 mijë romë/ciganë, në Rumani 1 milionë e
850 mijë, në Federatën Ruse 1 milionë e 250 mijë, në Bullgari 800 mijë, në
Spanjë 800 mijë, në Hungari 1 milionë, në Serbi 800 mijë, në Sllovaki 500 mijë,
në Francë 500 mijë, në Gjermani 140 mijë, në Greqi 350 mijë, në Ukrainë 400
mijë, në Angli 300 mijë, në Republikën Çeke 250 mijë, në Itali 170 mijë.
Romët/ciganët gjithashtu përbëjnë pakica të konsiderueshme në 48 vende tjera
lindore dhe veriore.
Akademikëve të rinj në universitete dhe institucione te mendimit u duhet
sugjeruar që të kryejnë punime teze mbi romët/ciganët.
Forcimi i marrëdhënieve sociale, kulturore dhe artistike me romëve të Turqisë
dhe romëve të Evropës e të Ballkanit si dhe ndërgjegjësimi për potencialin që
bart ky komunitet, premton dobi të shumta për të ardhmen.