Dimitrov dhe Osmani në Berlin, takimi me shefen e diplomacisë bullgare

0

Ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov prej dje po qëndrojnë në Berlin, ku mbrëmë janë takuar me ministren e Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Qeveria konfirmoi se takimi është inicuar nga ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas dhe ministri gjerman i Shtetit për Evropën Michael Roth.

Qëllimi i takimit është zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit, për të mundësuar fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë Veriore me BE-në. Bullgaria po paralajmëron veto nëse nuk ka zgjidhje me Shkupin për dallimet për emrin e shtetit, gjuhën maqedonase dhe definimin e prejardhjes etnike të disa personaliteteve historike.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në gusht të vitit 2017 nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944, përkatësisht prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e VMRO-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903. (INA)