Connect with us

Detaje ‘tronditëse’ për daljen e të dhënave personale, i arrestuari Endri Ikonomi rezulton i lidhur me biznesmenin rus

Aktuale

Detaje ‘tronditëse’ për daljen e të dhënave personale, i arrestuari Endri Ikonomi rezulton i lidhur me biznesmenin rus

Një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin e pagërrjedhjes, Endri Ikonomi rezulton të punojë për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB të cilat Euronews Albania i disponon, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA e citon oligarkun rus Oleg Boyko si person “Me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe me lidhje me krimin e organizuar.

“Shtypi moldav ka raportuar se Boyko ishte i përfshirë në një operacion të mbeshtetur nga Kremlini për influencimin e jashtëm të zgjedhjeve atje,” shkruhet në raportin sensitiv të SHBA, ku disa paragrafë janë të censuruar.

Një investigim i platformës së gazetarëve rumunë anti-korrupsion “Black Sea” e citon Oleg Boykon si investitorin e Fashion TV që së bashku me një partner në Letoni e kanë përdorur Maltën si parajsë fiskale për të operuar në Europë dhe SHBA ndërsa kanë fituar shuma marramendëse për kredi emergjente tek më të varfrit e Europës pa paguar taksa.

Nga të dhënat e QKB rusi ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm: Piressa Holding Limited një kompani që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet i arrestuarit i policisë Endri Ikonomi i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021. Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021.

Oleg Viktorovich Boyko e përshkruan misionin e Finstar si pararojë në “përdorimin e teknologjisë së thellë dhe shkencës së të dhënave për të siguruar gjithëpërfshirje financiare globale”.

Zbulimi i të dhënave personale dhe pagave të qindra mijëra shqiptarëve tronditi vendin në muajin dhjetor dhe ngriti shqetësime për cënimin më të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.

Policia ka arrestuar sot katër persona për skandalin e pagërrjedhjes, dy prej të cilëve janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës të sektorit privat.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj sqaroi skemën e abuzimit, ndërsa theksoi se nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik por me punonjës që kanë shpërdoruar detyrën.

Continue Reading
You may also like...

More in Aktuale

To Top